>
LETERSISHQIP

Shikoj Si Bie Shi

Në këtë natë të ftoftë
qetësia mbretëron,
qëndroj pranë dritares,
si bie shi shikoj.

Është mahnitëse çfarë melodie,
çfarë koncerti zemra më dëgjon,
qielli mbushet me re,
lumi nis e vërshon.

Poshtë kupës së zezë të reve,
vetëm Ylli Polar derdh shkëlqim,
rrezet e tij bien pingul,
treten thellë në syrin tim.

Ngadalë një pikë loti,
mbi faqe më rrëshqiti,
kur po e shikoja yllin,
që për mua shndriti.

Dhe një tjetër lot pa dashje,
më doli, por nuk e di ku treti,
bashkë me pika të shiut,
rrugën për në lumë gjeti.