>
LETERSISHQIP
Preng S. Gjikolaj

Kujtimi Dashtnisë Parë

I çveshun n'vetminë që m'kafshon,
me shpatën e akullt t’ndarjes n'zemër,
trupi m’dridhet prej etjes sate,
si lulja prej erës n'shkretinë,
që kërkon t'çetet me vesën e mungume.

Nëpër shpirtë m'rrjedh kujtimi i dashtnisë,
kur menoj t'buzëqeshun si dikurë ftyrën tane,
si një diellë ndër ujnat t'kullu t'zallishtes,
tu vrapu, tu vrapu n'kaltërsinë e valëve.

Netëve t’gjata, qiellin e çvesh si trupin tan,
yjet m'bien mbi lëkurë si puthje t’ndezuna,
e hana m'rri si gji i artë mbi ftyrë,
e unë kafshoj terrin me etjen që më djeg kockat.

Kur shtrihem pranë teje n'kujtim,
gishtat më rrëshqasin mbi lëkurën e mungesës,
sikur t’prek gjinjë që s’i kam,
sikur t’thithja aromën e dashtnisë sate dikurë.

Nëpër damarë më rrjedh kujtimi yt i ndezun,
ftyra jote, buzëqeshja që më ndrinte si hanë,
si një diell që shkrehet mbi gurët e lagët të zallit,
duke më thirrë mes valëve t’kaltërta,
ku mbytja asht ambëlsi.

Në netët e gjata përqafoj qiellin,
me yjet që më digjen n'buzë si puthje t’pambarimta.
Atje kërkoj sytë e tu si dy stuhí t'kaltërta,
që t'më çajnë terrin,
tu m'djeg rrugën e vetmisë.