>
LETERSISHQIP
Suzana Malaj

Në Ajrin E Sipërm

E vrava dhe e rivrava egon tri herë
e disa qeliza trunore që nuk bien në gjumë
e cuan në këmbë
U tërhoqa kur drita – e papeshë - si drita
e tërhoqi bishtin e vet
burimi ku kthehej e do të rikthehej
kish’ vdekur e rivdekur tri herë
Tri forma të egos nga ajri i poshtëm
u ngjitën në ajrin e sipërm
horizontit të trurit me tipare lokale
gjer në pikën më të lartë të zenitit
T’i vras e t’i rivras nuk vihet re
në këtë rajon hapësire
tri qelizat pijnë si verën me kupa
vargun në formë rubaire
Tri qeliza e në të trija
e urrej relativitetin
vonesën kohore, zhvendosjen e dritës
rrezatimin e zi që nis të hajë veten
Sot që po flas akoma s’i kam vrarë
kam shkatërruar vec gravitetin
bëjnë si bëjnë me hendeqet e ndarjes
e më kthehen gjithnjë në thjerrëzat e lentes
E unë vajtoj gjysmën johyjnore
me zemërimin e Akilit i marr - i heq zvarrë
e zbuloj se unë paskam vdekur
e ato qenkëshin akoma gjallë…