>
LETERSISHQIP
Suzana Malaj

Madhështia E Një Çasti

E para ishte fjala
pastaj ishte vepra e të gjitha ndërtimet
kishin çastin e tyre perandorak
Sa i madhërishëm ky çast!
Sa i bukur!
Edhe dhimbjet i ka në vete,
edhe bekimet i ka në vete
të dyja bashkë mos më lënshin të vdes!
Në shtatë pasqyra u paftë e të gjitha i theftë
për t’u parë në ujëvarën e shpirtit!
Mos u shteroftë kjo ujëvarë!
Mos u thaftë!
Mos më lëntë të etur!
Drita e përshkoftë dhe e bëftë të dukshme për syrin!
Si lot pikoftë e mos u harrofshin
të gjithë lumenjtë që rrjedhin e më ushqejnë
pa më lënë të plakem!
Mos u hapshin portat e qiellit
u mbyllshin për mua
nëse ky çast më ikë kotësisë
pa ia lexuar frymën!