>
LETERSISHQIP
Suzana Malaj

Uliksi Po Fle

Atdheu im është prej velloje magjike të kuqe,
nuk kam dashur ta harroj
se nuk kam dashur të vdes!
E sulmuar në tokën e diellit kam qenë e kur për diellin jam betuar
luftën më të rreptë e kam bërë me veten.
Erërat nuk janë përzgjedhur për mua,
as të jugut, as të veriut, as të lindjes, as të perëndimit…
Rrugët të tërthorta, të gjata kanë qenë,
edhe stuhitë…
Edhe agonitë kanë zgjatur aq sa ishte e mjaftueshme
për ta kaluar shigjetën në trup.
Dhimbje kronike dhe akute kam pasur,
por e robëruar në ishull asnjë ditë nuk kam qenë,
pse liria ime nuk matet
as vetëm me mendje,
as vetëm me zemër.
Jam larguar nga ishulli qoftë dhe për një lajthitje të vetme pa shkak.
A ia vlen të kërkojmë shkaqet e lumturisë sonë,
të kërkojmë shkaqet e vuajtjes a ia vlen?!
C’rëndësi ka shkaku nëse unë nuk e përdora asnjëherë kalin e drunjtë
dhe asnjëherë nuk e deha përbindëshin për ta verbuar!
Më duhej syhapur ai përbindësh teksa kërkoja atdheun!
Kthimi është i rëndësishëm vetëm për mua
aq më tepër që nuk kam asnjë shenjë që atdheu të më njohë
ama cdo plagë të atdheut e njoh e cdonjëra
më ka therur në ballë.
A duhet të jap prova për këtë?!
Tani është koha për paqe…
Uliksi po fle.
(Odisetë janë të përditshme dhe imja
nuk është shkruar akoma)