>
LETERSISHQIP
Suzana Malaj

Frymë E Pasosur

Gijotina pret krye dëshirash
si të dala prej shpirtit të barkut
edhe pse një syresh po shetit në urën
që lidh diafragmën me kokën e me qafën.
Ende pa u bërë flutur,
pa u formëzuar si fjalë,
në periudhën si vemje e përdredhur,
…si larvë.
Me mburojë mëndafshi
e shuar nga jashtë
si vullkan që ndizet së brendshmi
të shpërthejë dëshirën e zjarrtë.
Ushqehet me frymëmarrje
në krizalidën e shpirtit
deri sa rritet si flutur monarke
të nisë të migrojë grimcoret e dritës.
Të mund t’i ndiejë e të mund t’i prekë
të mund të shqiptohet si fjala e zhveshur
të mund të dëgjohet nga zemra në kokë
të mund të shihet me sytë e përndezur!
… … … … …
Verbuar nga ndricimi i tehut
pa e dalluar zonjën Kosë
kryet i shtie mes dy gjysmëhënash
e kaq u desh..u shua…u sos!
Qafa e dëshirës së flaktë
nën formën e civilizuar të presës
nga shpirti i barkut, në diafragmë e në kokë
shfaqet rishtaz në formën e vemjes…
A do ia dalë të bëhet flutur?!
A do ia dalë t’i shpëtojë gijotinës?!
Në mos u verboftë nga shkëlqimi i tehut
Në mos u verboftë nga shkëlqimi i dritës!
Dil nga guacka e fjetur!
Dil nga ura – shitore!
Monarkja me frymë të pasosur
e bardhë e kaq dritësore…