>
LETERSISHQIP
Kristina Ndoci

Ngjyrat E Shpirtërave

Qëndroj buzë detit diku në breg,
përreth shkëmbinj të lartë t'hirt,
papritur vetëvetiu më kap një brengë,
mendoj pse njerëzit janë t'pashpirt.
Çdo valë e trazuar godet shkëmbinjtë,
shpirtërat marrin momentet e tyre,
unë e menduar marr aty dëshmitë,
dhe detin vazhdoj të mbaj n'bikqyrje.
Përpiqen shpirtërat të kalojnë shtigjet,
ku çdonjëri spërkatur me trëndafila,
Nga zhurmë e tyre gjëmojnë brigjet,
ata vërshojnë,mbuluar nga krenaria.
Individët bashkohen në një në heshtje,
është e vetmja mënyrë për tu vënë re,
humbin identitetin maskuar me buzëqeshje,
pas fjalëve të të tjerëve bëhen pre.
Me shpirtin sa një kokërr rëre,
thyejnë rrugët e botës,
fitojnë pushtet,
pastaj para të tjerëve derdhin ideal,
të krekosur vrullshëm kërkojnë rrushfet.
Disa shpirtëra të tjerë në anën tjetër,
shpirtëra që përfaqësojnë ideologjinë,
pa kuptuar jane bërë ideale të vjetër,
ndryshim mes vetes e të tjerëve sdinë.
Sepse nuk shohin askënd përveç vetes,
në moment imazhe të pikturuar shfaqen,
imazhi i shpirtërave të vegjël zbehës,
e shpirtërat më të mëdha ringjallen.
Po,po,nga të gjitha riprodhimet e tyre,
dallgët lajnë akuarielin e shpirtërave t'vegjël,
një tufë ngjyrash pësojnë përmbysje,
duke u kapur pas kanavaçes me kthetër.
Përpiqen për ti dhënë pak kuptim figurës,
pa kuptuar se tani janë shumë vonë,
gjithçka derdhur,humb vlerë e pikturës,
Të gjithë janë mbetje të asgjëje,ska kohë.
Janë një bosht i kotë dhe i zhveshur,
ashtu siç do donte të ish dikush,
njerëzit e shpirtërat e mëdhenj ngjeshur,
mbeten të përqafojnë përjetësinë si askush.
Ndërsa shpirtërat e vegjël janë të dënuar,
të lëvizin grimcën në kanavaçen e kohës,
ashtu në heshtje dhe të nënshtruar,
të presin momentin e tyre joshës.