>
LETERSISHQIP
Preng S. Gjikolaj

Ai La Fjalën Si Amanet

Atje nalt, n'kufinin mes tokës e qiellit,
nan hijen e ahit t'moçëm,
që i ngjan nji antene kozmike,
që run ndërrimin e shekujve,
fle bariu plak,
udhëtar i nji shekulli,
që i mbarti vitet si planete t'randë
mbi supet e tij t'krisuna nga era.

Ai la fjalën si amanet:
Trupi tij t'prehet n'majë t'bjeshkës,
t'bahet njish me majat.
Aty ku bora asht mantel yjesh,
ku hëna derdh argjend mbi shpatet,
dhe era kënon si nji kor galaktikash.

Kur dimni shkul veshjen e tij t'akullt,
bjeshka ngjallet si nji hyjneshë e re,
ajo çvesh rrobat e ngrime,
dhe vishet me dritë t'blertë,
me petale që hapen si diej e ylbere,
me shetitje bletësh, e vallëzim fluturash,
që ngjajnë si satelitë t'vegjël,
që sillen rreth diellit t'gjelbër t'barit.

Çdo pranverë, barinjtë ngjiten
si pelegrinë t'kohës,
dhe qeni laraman, shkëndijë e gjallë e dashtnisë,
rend drejt vorrit bariut,
sikur t'ndiqte orbitën e humbun t'zotënisë së tij.

Çdo pranverë, barinjtë kthehen,
kthehen si astronautë t'kujtimeve,
dhe qeni laraman,
yll i gjallë me zemër t'plagosun,
turret me vrap drejt vorrit bariut,
sikur t'ndiqte orbitën e yllit tij.

Ai, kur vdiq bariu ish këlysh i padjallëzu,
sot mbart mallin n'shpirt,
e universin n'sy.
E mbështet kryet mbi dheun e ftohtë,
si mbi nji planet t'largët,
ku ende dëgjon rrahjet e zemrës së bariut,
t'kthyme tashma n'pulsar t'përjetësisë.

Dhe mbi ta, nata hap velin e zi t'pafund,
yjet dridhen si lot t'kozmosit,
duke kujtu se nji njeri i thjeshtë,
me shkopin e bariut n'dorë,
udhëtoi nji shekull nan qiellin e bjeshkës,
për t’u ba vetë yll që s’fiket kurrë.