>
LETERSISHQIP
Preng S. Gjikolaj

Koha, Tirania Ma E Vjetër Se Përandoritë

Ende endem,
jo ma si hije, por si betim i gjallë,
si nji kujtesë e përgjakun që s’pranon t'shuhet,
nëpër rrugë që i kanë humbun emnat dhe kuptimet,
ku çdo hap tingëllon i randë si gjëmim,
i nji bote që ngadalë po shembet.

Nan qiellin e randë,
që rri si një gjyqtar i lodhun mbi krye,
unë mbaj mbi shpinë peshën e nji ekzistence,
egzistence që refuzon t'përkulet,
nji shpirt që nuk e pranon vulën e kohës,
nji frymë që s’e njeh ligjin e kalbjes së çasteve.

Koha, tirania ma e vjetër se Perandoritë,
ajo që s’ka fytyrë, por ka zinxhirë në çdo sekondë,
ajo që i kthen lindjet n'borxh dhe vdekjet n'pagesë,
që i lidh ditët si skllevën n'rreshtin e pafund t'harresës.

Ajo shkel mbi andrrat si mbi gurë të zakonshëm,
dhe qesh me shpresat që digjen si kashtë n'erë,
ajo nuk pyet, nuk ndalet, nuk fal,
vetëm kalon, dhe në kalimin e saj varros gjithçka që merr frymë.

Por unë, unë nuk jam krijuar për t’u numëru.
Nuk jam pulsim i një ore t'verbët,
as nji grimcë që tretet n'barkun e amshimit pa za.

Unë jam çarje n'murin e padukshëm t'kohës,
nji kundërshtim që merr frymë në çdo damar,
nji zjarr që ushqehet nga mohimi i fatit t'shkru.

N'errësinën ku ajo kërkon t'më mbysë,
unë bahem vrimë e zez që e përpinë.

Nan kuben e nji universi t'përkulun nga ligje t'vjetra,
ku yjet digjen si dëshmi t'nji rendi t'padrejtë,
unë ngre zanin tim pa tingull,
si nji tërmet që nuk ka nevojë për paralajmërim.

Sepse rebelimi im nuk asht britmë,
asht ekzistencë që refuzon t'shuhet n'heshtje,
asht qëndresë që nuk kërkon fitore,
por vetëm t'drejtën për t'mos u zhdukun,
për t'mos u zhdukun si një gabim i kohës.

Pse, atëherë, m'fshinë nga libri kohës?
Sepse unë nuk u luta për mëshirë,
sepse nuk u gjunjëzova para rendit t'saj t'ftohtë,
sepse nuk pranova t'jem veç një numër,
numër n'librin e saj pa shpirtë.

Unë i dola përballë, lakuriq,
pa armë, pa mburojë,
veç me barrën e nji vetëdijeje,
vetëdijeje që nuk pranon t'shitet.

Dhe kjo mjaftoi për ta çarë qetësinë e saj t'rreme,
mjaftoi për ta ba t'dridhet n'fronin e padukshëm.

Unë i kam shpallun luftë,
nji luftë t'pa fund dhe pa paqe t'premtume,
ku çdo çast asht nji betejë,
çdo frymë nji sfidë,
ku humbja nuk asht rania, por nanshtrimi.

Dhe n'këtë luftë unë jam,
jam njëkohësisht ushtri dhe plagë,
jam thikë dhe mish,
jam zjarr dhe hi,
një qenie që lufton jo për t'jetu ma gjatë,
por për t'jetu i lirë,
I lirë qoftë edhe brenda nji sekonde t'vetme.

Dhe nëse nji ditë do të rrëzohem n'heshtjen e fundit,
le t'mos jetë ajo fitore e kohës mbi mua,
por nji çast i ngri n'përjetësi,
nji dëshmi se dikush guxoi t'mos bindet.