>
LETERSISHQIP
Preng S. Gjikolaj

Me Zemër Shqipje E Gjak T'kastriotit

(Kushtuar Preng Marka Prengës, Bajraktatit të Oroshit që komandoj burrat e Mirditës në vjeshtën e vitit 1912 duke çliruar Lezhën nga ushtritë Osmane dhe duke e mbrojtur atë nga pushtimi i shovinistëve Serbo-Malazez)
Krueflamurtari Preng Marka Prenga motit,
n’Orosh t’Bajrakut t’parë u ndez si veptimë,
me zemër shqipje e gjak t'Kastriotit,
thirri kushtrimin mbi kreshta, brigje e gurë.

Fjala e tij u ngrit si mal i thepisun,
kushtrimi për luftë ushtoi nëpër gryka,
djemtë e Mirditës ranë si rrufe që djeg lisin,
dy mijë shqipe u ndezën me gjëmim.

Djemtë e Mirditës, si shqipe prej foleje,
dy mijë pushkë u ngritën me gjëmim,
tokën e Lezhës e ndezën me zjarr besnikërie,
burrat e baruti u banë një zemër për shpërthim.

Kah kështjella e Lezhës ran si vala barotit,
me britma si drithma tokash t'lashta Piruste,
ku gjaku u ba liri e dheu u ba betim i Kastriotit,
mirditorët u ngritën si uragan mbi çallmat Osmane.

N'vjeshtën e 1912-ës, n'prag t'lirisë t'asaj dite,
n’Liss t'lashtë ngulën shtizën e flamurit t'Mirditës,
flamurin që dogji terrin osman me diell Mirdite,
me shenjën e besës, përjetë mbi krenat t'shqipes.

Nga themelet e Lissit t'lashtë, gjëmun vorret,
heronjtë e harru u ngritën si hije,
e fjalët e tyne, si flakë t'përjetshme:
“Ky flamur s’bie, ky flamur asht gjak jete!”

Dhe retë Osmane u çanë prej krahëve t'shqipes,
që fluturon krenare n'fushë t’kuqe t'flamurit,
dheu u dridh nga betimi i mirditorëve,
Iliria u ringjall me britmë shqipje,
me Preng Marka Prengën flamurtar, za pavdekësie.

E Lissit t'lashtë iu dridhen themelet,
nga era e betimit që s’plaket kurrë.
Shqipet e Mirditës e ngjiten n’qiell,
me krahë dragoj e sy rrufejet,
me Preng Marka Prengën burrë përmbi burrë.

Breza t'rinj dalin si prush prej hinit,
nan hijen e flamurit që s’u lodh kurrë,
për t’i ra kushtrimit sa herë thërret zani betimit,
për t’ia shtue gjakun kuqezisë përjetshme n'flamur.

Sepse aty ku ngrihet flamuri i Preng Marka Prengës,
edhe vorret e vjetra rrinë zgjuar, kryengritje ndaj heshtjes,
dhe gjaku i derdhun bahet gur themeli,
që s’e le t'rrënohet kurrë Liria.

E kështu breznitë betohen mbi të:
“Sa t'kem frymë, sa t'kem krah,
ky flamur do t’valojë mbi mal e fushë,
si zemër Ilirie që s’pushon kurrë.

Sa t’ketë male, sa t’ketë gurë,
sa të ketë diell e gjak shqiptarë,
ky flamur do t’valojë mbi kët dhe altarë,
si zemër e përjetshme e dheut Shqiptarë.”