>
LETERSISHQIP
Preng S. Gjikolaj

Shën Valentini

Kur ishim yje t’rinj si pluhun n'galaktika t’qeta,
ende pa emën n'hartat e qiellit,
njani-tjetrin kërkonim, si dy kometa
që ndjekin orbitën e padukshme t’fatit.

E dinim dashninë
siç di deti hanën,
por s’e njihnim shenjtorin Shën Valentinë
që ndez kandilat e kuq mbi Tokën.

Ne kishim veç pulsimin,
atë rrahje kozmike
që e dridhte terrin.

Buzëmramjeve t’kaltërta,
kur ajri ishte i njomë si fryma planetit,
fshiheshim mes shelgjesh n'zallishta,
si dy yllësi që kërkojnë emnin e vet n'errësinën e butë.

Luanim kukafshehta me horizontin,
dhe kur njani-tjetrin t'gjenim,
si dy galaktika që përplasen ngadalë,
cak kishim vetëm një shpërthim:
puthjen – supernovë mbi buzë t'zjarrtë.

Kur të dy grykas përqafoheshim,
ishim si dy re kozmike t’ngarkueme,
që fshehin rrufetë n'prag stuhish.

Hapësina përdridhej,
kohët përkuleshin,
e universi për një çast ndalej,
na mbante frymën.

Duart e mia, astronautë t’etun,
zbarkonin mbi horizontet e trupit tand,
ku gjinjtë shndrinin
si dy hana t’ngrohta
që thërrasin baticën.

Rrufe yjore lëshoheshin nan lëkurë,
nebula epshi shpërndahej n'terr,
dhe ne...
dy trupa t’pavdekshëm për një natë,
e shpiknim dashnin
para se bota ta quante
Shën Valentin.