>
LETERSISHQIP
Preng S. Gjikolaj

Kanga E Emigrantit

N'mes t’qiellit t’mbështjellë prej reve,
ecën si hije pa trup,
me shpirtin t'mbështjellë n’pluhun yjesh
që s’ndezin kurrë dritë.

Sytë, dy fenerë t’djegun
përplasen me errësinën,
kërkojnë nji udhë t'artë,
nji yll t’nezun
që s’din as vetë ku lind.

Ai mbart shpresën si zogj,
si zogj t’plagosun nan krahanor,
që dridhen e s'gjejn dot diellin.

E shesin, e blejnë,
e vlersojn,
si monedhë t'vjetër
që s’ka ma vlerë.

Nata e mbështjellë me qefin t'zi
i ngjitet si gjarpën trupit,
e s'ka diell që t'a shkri.
Gjumi i ikën,
balli i djeg si prush,
dhe vetëm hana, e vetmja shoqe,
i përkëdhel plagët me dritë argjendi.

Brenda tij nji zjarr i fshehun,
mall për tokën e humbun,
për erën e fushave t’Shqipnisë
a t'Dardanisë,
për zanin e nanës
që i thërret emnin prej largësive.

Ai ecën nëpër stinë
si plankton mbi valë.
Dimnat e ngrijnë,
verat e përvëlojnë,
fyerjet e godasin si gurë mbi supe,
heshtjet i ngulen si thika n'zemër.

Dikur nji vashë ia pat ndalë kohën,
i'a pat ndal me dy sy kaltërsie,
ia pat dhan zemërn,
por tani ai shikon vetëm detin
që s’ka brigje,
dhe rinia e tij digjet
në anën tjetër t'valëve.

Netët, netët…
si shkami t’zi rrokullisen mbi të,
asnjëherë s’i hapin derë agimit.
Zgjaten e zgjaten,
derisa jeta bahet hije.