>
LETERSISHQIP
Preng S. Gjikolaj

Midis Orëve T'para T'pritjes

N'korridoret e gjata t'ditëve t'para,
ku ora tik-tak rrihte si zemër naive,
ne u takum pa ditun ç’ishte pritja,
veçse nji dridhje që s’kishte emën.

Sytë e tu, dy copëza t'qiellit kaltërt,
m'zhveshnin mendimet si era nji degë pranvere,
dhe unë, i hutu mes trupit që m'rritej,
mësoja gjuhën e heshtjes mbi buzët e tua.

Durt tona, si dy fjalë që kërkojnë fjali,
preknin kufijtë e ndalu me nji pafajësi t'zjarrtë,
si nji sekret që digjet ngadalë
n'errësinën e nji pasditeje t'zgjatun.

Koha nuk ecte, ajo rrëshqiste mbi ne,
si dritë mbi lëkurë që s’ka njohun ende natën,
dhe çdo çast ishte nji lindje e vogël,
nji shpërthim i qetë n'trupin e botës sonë.

Pastaj, pa zhurmë, fillum t'rritemi,
si plagë që bahen kujtim,
jo dhimbje.
Por diku, në nji cep t'përhershëm t'vetes,
mbeti ajo puthje,
e para, e papërsëritshme.