>
LETERSISHQIP
Preng S. Gjikolaj

O Zot, Deri Kur Do Ta Lejosh Kët Mynxyrë

N'fillim ishte guri,
dhe mbi të, betimi i ilirit.
N'fillim ishte shpata,
dhe mbi të, fjala që nuk thyhej.
Ishte Besëlidhja e Gjergj Kastriotit,
Por sot…
mbi të njëjtin gur
rrjedh gjaku i bijve që harrun emnin e vet.

Trojet tona,
dikur nji trup i vetëm nan diellin e Ilirisë,
sot janë t'coptume,
plagë t'hapuna që kullojnë histori.

Nji mjegull e zezë, si mallkim i perëndive t'vjetra,
mbulon qiellin,
dhe hija e saj asht ma e randë se shekujt.

N' trojet tona,
t'coptume si plagë t'hapuna mbi hartë,
nji mjegull e zezë si mallkim perandorish t'vdekuna,
shtrihet mbi qiellin tonë,
si nji dorë e padukshme që mbyt dritën e shekujve.

Era që fryn s’asht ma erë,
asht fryma e atyne që ranë pa u varrosun,
asht klithma e mbretënve ilirë,
asht britma e Gjergj Kadtriotit,
që ngrihen nga dheu e pyesin:
“Ku jeni, bijtë tanë"?

Era s’është ma erë,
asht fryma e demonëve t'historisë,
që na shuajnë hanën e na verbojnë diellin.

N'Dardani, tanket kërcasin si nofulla çeliku,
dhe çizmet sllave shkrujnë,
shkrujnë me dhunë mbi tokën e lashtë.

N'Dardani,
tokë e lashtë sa vetë qëndresa,
hekuri i tankeve përplas dhambët mbi gurët e shenjtë.
Çizmet e huja përdhosin kujtesën,
dhe toka dridhet jo nga frika,
por nga zemërimi i t'parëve.

Dardanët s'janë vetëm,
pas tyne marshojnë hijet e ushtrive t'harrume,
me përkrenare t'ndryshkuna nga koha,
por me shpirt ende t'ndezun si zjarr mali.

Ata luftojnë jo për t'kap tokë e ar,
por për t'drejtën e ekzistencës n'histori.
Çdo pikë gjaku që bie mbi dhe
asht nji kushtrim i lashtë:
Iliria nuk ka vdekun,
ajo pret stërnipat e sajë dardan.

Por n'anën tjetër t'kësaj tragjedie,
nji turp ma i randë se pushtimi.
Shqiptari ngre dorë mbi shqiptarin.
Si në nji mallkim t'vjetër fisnor,
ne bahemi armiqtë e vetes.
Depot hapen si vorre t'grabituna,
dhe armët dalin prej tyne
si gjarpënij t'uritun për mish vëllai.

Ata grinden për karrige,
si perandorë kukulla në nji teatër t'djegun,
pa pyetun pse shteti ka ra si nji kala pa mure.

Dardanët, bij t'gurit dhe t'betimit,
t'lodhun nga shekuj dhune,
ngrihen si stuhia mbi fushat e gjakut.

Ata vetëm nuk luftojnë,
por bartin mbi supe hijet e ilirëve,
flamurin e Gjergj Kastriotit,
dhe çdo pikë gjaku që bie
asht nji germë n'librin e pashkru t'lirisë.
Flamuri nuk asht pëlhurë,
asht nji plagë që nuk pranon t'mbyllet pa drejtësi.

Por ndërkohë n'Shqipni,
shqiptari i kthehet shqiptarit si nji thikë e verbët.
Depot çahen si vorre t'hapuna,
dhe armët flasin ma shumë se mendja.

Plumbat s'njohin ma flamur,
ata bien mbi fëmijë që s’dinë t'urrejnë,
mbi nana që s’dinë t'mallkojnë,
mbi vëllazën që s’dinë pse po vdesin.
Dhe toka...
ajo s'ban dallim.
Ajo i ha t'gjithë, njisoj.

Plumbat s'njohin ma armik,
ata bien mbi fëmijë, mbi nana, mbi vëllazën,
si nji shi i çmendun që nuk dallon tokën nga gjaku.

Luftohet kundër erës,
kundër reve,
kundër vetë qiellit.
Nji marrëzi që kërkon t'baj shoshë edhe diellin,
si t'ishte armik.

Dhe bota...
ajo rri n'tribunë si spektatore e ftohtë,
duke qeshun me tragjedinë tonë,
si me nji shfaqje pa fund.

Luftohet kundër gjithçkaje,
kundër erës, kundër reve, kundër vetë diellit.
Nji çmenduni që kërkon t'shpojë qiellin,
si t'ishte fajtori i vetëm i kësaj rënieje.

Dhe bota...
ajo që dikur dridhej nga marshimi i perandorive,
sot rri e ulun, e ftohtë,
duke pa nji popull që djeg vetveten,
si nji pishtar pa drejtim.

Ndërsa këtu
n'kët tokë që mban ende gjurmët e Ilirisë,
e t'kalit Gjetgj Kastriotit,
politikanët tanë janë hije t'pa fytyrë.

Ata nuk ndërtojnë,
ata gërmojnë n'rrënoja për t'grabitun ar.
Të ikunit mbushin thasët me turp,
t'ardhunit i zbrazin për t’i mbushun përsëri.
Pushteti asht ba nji vorr i hapun,
ku secili kërkon t'varrosë ndërgjegjen e vet.

Pushteti asht ba nji lumë i ndyrë,
ku secili zhyt durt
për t'nxjerrë copa t'mbetuna nga nji atdhe i copëtu.

O Zot...
deri kur do t'heshtësh përballë kësaj mynxyrë?
Sa gjak duhet t'derdhet kot,
që toka t'mos e pijë ma si ujë?

Disa vrasin për lojë,
t'tjerë për hijen e politikanëve t'pa fytyrë,
që shesin edhe ajrin
për t'ble nji tjetër fron mbi rrënoja.

O Zot!...
A i dëgjon ato zana që ngrihen nga nantoka?
A i sheh eshtnat që dridhen nan kambët tona?
A e ndjen peshën e këtij mallkimi që na ka zan frymën?

Deri kur do t'lejojmë
që gjaku i ilirit të derdhet nga dora e ilirit?
Deri kur do t'mbetemi nji kujtim i thyer,
nji emën i madh i shkru n'baltë?

Sepse nëse vazhdojmë kështu,
s'do t'na pushtojnë ma armiqtë.
Ne do t'jemi vetë
fundosja e funit e Ilirisë, Arbnisë e Shqipnisë.

Dhe atëherë,
jo toka,
por vetë historia,
do t'na varrosë pa emën.
Prill 1997