>
LETERSISHQIP

Dje Gjithë Ditën

Dje, gjithë ditën, që ka falë Zoti,
Diellin e kisha sy mbi krye.
Si murrëtim i ankthshëm moti,
Buzëqeshja, e dashur hiç nuk t'u kthye.

Unë i vëzhguar nga drita e plotë,
Që nuk më linte asnjë shteg me hije,
Një fjalë të vetme nuk ta thashë, dot,
Ndërsa ti, inatin, si mokër, grije.

Nuk kisha ç'të bëja në heshtjen time,
Shpesh gjendemi si një i vdekur,
Vijnë disa kushte që s'pipëtijmë,
Dhe pse, për të kundërt, jemi të etur.

Kalojmë gjithë ditën si të uritur,
Dhe s'dalim dot as si lypsar;
Janë kurthe, që jeta, vetë na i ka ngritur,
Janë çaste si të jesh në varr.

Por fundja, prandaj jemi njerëz,
Se dimë, pas shpine, tëra ti hedhim,
Shtiremi, kur vuajmë në mendime,
Dhe shpirtin jashtë nuk e nxjerrim.

I fshehim thellë sekretet tona.
Sa zgavra malesh, kemi në shpirt!?
Kur s'na sheh kush, netëve të vona,
Përpara vetes bëhemi dritë.

Zbulojmë sekretet, notojmë mbi to,
Mesnatën madhështojmë si ditë,
I themi jetës: Ka më? Duro-Jeto,
Se neve jemi Perënditë!