>
LETERSISHQIP

Si Vetë Drita

Për ty nuk është aspak e lehtë,
Se je burim ndrydhur nga mali.
Kush pin nga ti? Veç një shpirt-det,
Që djeg e pjek, çdo çast t'bën zhari.

Ti je veç ti, si askush tjetër,
Siç është Saturni e tjetër s'ka,
Eh, sa ka parë kjo kockë e vjetër,
Për ty, në ujë kristal, u la

Si vetë drita, të jetë i pastër,
Kur shpërndahet në hapësirë,
Ta ndajë drtië-hijen si një pjastër,
Në dritësi të ndjehesh mirë.

Se mjaft errësira ta mori shpirtin,
Me këmbë të shkeli, si insekt,
Ka kohë, që sytë e tua nuk ndritin,
Nga një kohë tjetër të vobektë.

Tash, edhe pse në fund-udhe,
Kur, si lumë jeta, iku teposhtë,
Jeta, që iku, ishte një shpullë,
Kurse, e sotmja, të qesh si loçkë.

Se mokra e kohës e shkërmoqi,
Atë jetë që të plaku mijëra vjet,
E të gjitha rrudhat magjisht t'i hoqi,
Të fali shend nga shendi i vet.

Të bëri freski nën korie,
Kur dielli zhurit botën përtej,
Tash, vetë koria, ty, të bën hije,
E ta freskon gjakun ndër dej.

Ti je si flladi, që rreh kodrinat,
Krah si ylberi plot me ngjyra.
Si s'hyjnë në sy, t'femrave, duzinat,
Kaq të pa shoqe t'ka bërë natyra?

Edhe tani ti je buzëqeshje,
Që të bie në krye, plot dalldi,
Që të bën mendim të thellë në heshtje,
Epsh-papërmbajtur për dashuri.