>
LETERSISHQIP

Si Pafundësisë Së Yjve

Kam nevojë për dy sy, të më shohin së thelli,
Dhe gjithçka, që e kam djerr, të ma mbarështrojnë,
Arave të gjoksit tim, me durim të më mbjellin,
Lulishte e parqe të gjera, që t'më madhështojnë.

Kam nevoje për një zemër, gruaje zemërdet,
T'i afrohet zemrës time, si skulptor ta gdhendë,
Madhështimit të zorilshëm ta shndërrojë n'planet,
Ku, gjithë jetën, si në jetë, me madhështi ta endë.

Kam nevojë për një shpirt, t'mi rrijë shpirtit pranë,
Që t'mi bëhet rreze dielli e t'ia ndrijë çdo ind,
Që t'mi bëhet këtij shpirti, kaluar-mjaltë në xhan,
Pesimizmit, thellë-pus-mbytur, t'më shpëtojë, rilind.

Kam nevojë, po kam nevojë, pse bën se s'kupton,
Lule bukur, ti shebojë, që keqas më zalisë,
Nektarë qielli, hoj-bletë-mjalti, ëmbëlsisht kullon,
As me gisht nuk jam i zoti, t'shijoj, ndaj shastis.

Kam nevojë për dy sytë e tu, qiej-hapësirë,
Dhe për zemrën oqean, q'më rri para syve,
Ethja makth, më thyen dy copash, shpirtit tënd të dlirë,
Në katër rrugë, jam në udhëkryq, si pafundësisë së yjve.