>
LETERSISHQIP

Tjerra-Vargu

Ëndrrat më kanë vdekur me kohë e vak,
Tash, vetëm synime, gjakut më gëlojnë,
Gjer pejzat dhe indet çmendur pranverojnë,
Ndaj, të miat frymëzime i kërkoj shumë larg,
Ku pathose e fjalë, mendimet m'i lulëzojnë.

Atje. ju s'mund të hyni si njerëz mediokër,
Atje është vend i shenjtë, ku shpirti është shik,
Gjithçkaja shkon e vjen, atje, me shumë vrik,
Se shorti i madhështimit është shumë i vogël,
Aty, unë shortin tim, e mbroj si fëmijë, me frikë.

Si brenda labirintit, atje, veten gjej,
Edhe në mes territ vloj muzës së shfrimit,
Në dalldinë e çmendur të jetës dhe gëzimit,
Vetes, si një prifti, veten i rrëfej,
Bukurishë pa fund, Pegasit të shfrimit.

Ëndrrat më janë ngurosur në kuja dhe brenga,
Vesin perëndimeve, ringjallen çdo mëngjes,
Si një pezëm i nxehtë, limfë, vargjesh më ndez,
Shpirtit tim, nuk di, ku nis e mbaron kënga,
Sepse tjerra-vargut, tash, rilinduri nuk vdes.