>
LETERSISHQIP
Xheladin Çitaku

Çapitem Rëndueshëm

Çapitem rrugëve të përbaltura me shpirtin të ngushtuar
stërkalat më pikëzojnë, fund e krye me pika të zhlyerjes
e mllefi zbrazet me fjalë të moçaluara të fjalorëve të truar
në tinguj megafonësh e me nota pentagramësh të fyerjes.

Çapitem shtigjeve të përthyera të jetës, në dukje kamufluar
të stolisur me gënjeshtër e me nuska mëkatesh të atavizmit
në çengela të bestytnive moderne, varur shpresën e mashtruar
mbërthyer në kafazin e ndryshkur të civilizimeve të cinizmit.

Çapitem në lëmin e shtëpisë, shtruar me ambicie të ferrishtave
në përplitjen për të shirë ëndrrat, në netët mbetur pa gjumë
treten vegimet e vizionit e humbin në labirinthet e urishtave
trallisen nga zhgënjimet, që vërshojnë në shpirtëra si lumë.

Çapitem nëpër sheshe të mermerta me pllaka shkëlqimesh
shikimin mbërthyer në dorështrirje lypsarësh të përdhosur
në krekosje shpurash, që ecin revan mbi urata mallkimesh
fytyra lakejsh suvatuar në ngjyra kameleonësh të damkosur.

Çapitem frazash të stampuara, shpaluar me pompozitet hipokrit
shkronjat e ngatërruara e endin ndërdijen në avlëmend intrigash
si pinjollë të skaduar që ngarendin ndër pista të vallëzimit perfid
marshojnë trillet mashtruese, rreshtuar nëpër kuadrate të ligash.

Çapitem nëpërr portat e rrëgjuara të virtyteve të katranosura
në kënetat kutërbuese, në frymëzënie ngulfatëse duke gulçuar
nëpër rrjetëzat e injorancës përthuren dlirësitë e nakatosura
shujta përçmimesh të kohëve, në sofrat e qytetërimit shtruar…
25.04.2020