>
LETERSISHQIP
Xheladin Çitaku

Muza E Rikthyer

Puhizon ledhatueshëm imazhi përndritës
shpirtin e këndellë nga rrebeshet e kohës
ngazëllimi shpërthen si agimi shëndritës
ovacione freskie përthithë mendja e kokës.


Frymëzim i molisur, që cimbisi ndjeshmërinë
syri ishte stepur nga ngurtësimi i shpërfaqur
tash, zemra e drithëruar shijon mrekullinë
gjunjëzuar universit, përfalet e kënaqur.


Nëpër tinguj cicërimash flatron imagjinata
nëpër ngjyrat e ylberit, që bëhen gërshetë
tek ylli në horizont, që s`ia di ç`është nata
as dallgës së baticës, që pezull kish mbetë.


Tash, anës së detit ëndërrimi tek shëtitë
që rrezen e diellit në buzëvalë ta takojë
vrullësimin e dëshirës në shpresa e vërtitë
pegasin e ndjenjës, tash, mund ta shalojë.

Fanar i përhershëm që botën e dritëson
si hëna e plotë me shkëlqimet lozonjare
siluetë e adhuruar veç në vegime qëndron
posi muzë e ëndrrave që pushton për fare.