>
LETERSISHQIP
Xheladin Çitaku

Një Çast

Një çast i vetëm, ëndërrat përmbysë
gremisë në humnerë, pa fije mëshire
një grishje e beftë, një shpirt e ngrysë
i dhuron muzgun e djerrina mugëtire.

Një çast i kohës, ambiciet i zgjon
n`horizont pa trajta, shpresat i shtytë
në skenën e mendjes, dramën inskenon
nëpër aktet e lojës, një shpirt e mbytë.

Një çast i jetës, të mbushë dyshime
tek ofron shtigjet, ku nuk duket qielli
në ngjyra pikturash hedhë ca thërrime
që një shpirt të strukur ta përbuzë dielli.

Një çast shpërfaqet, pritur, papritur
vjen, si rrufeja në qiellin e kthjelltë
dhe përkëdhelë, dëshirën e zhuritur
flaka përcëlluese, një shpirt e godet.

Një çast i vetëm botën e ndryshon
tek shpërbën vegimet dhe iluzionet
me grishjen e beftë, hënën lajkaton
e shpirti i lajthitur, nisë të esëllohet.