>
LETERSISHQIP
Xheladin Çitaku

Valët Çapkëne

Mbi gurzët e shpëlarë, rrugicës ecë ngadalë
buzë prroit të kristaltë, stërkalat vallëzojnë
vështron shkujdesur shkumbëzimin valë, valë
në freskinë ledhatuese brengat nuk jetojnë.

Cicërimat magjike, seç të grishin në dehje
deliri përhumbës, në pika ekstaze pluskon
puhizat farfuritëse përkëdhelin në prehje
dhe flladi ledhatues, emocionet përshkon.

Ngjyrat e ylberuara shikimet i rrëmbejnë
bebëzash reflektohen vrushkujt e shkëlqimit
gurgullimat e lumit, qetësinë, seç e kthejnë
në sumbullat e kthjellta, në valsin e lazdrimit.

Vrullësohen ndjanjat, azdisen me erën
ëndërrat pikturohen në telajën e beharit
krahët e fluturës, përshëndesin pranverën
përpijnë vesën, sumbëlluar në fijen e barit.

Në rrjedhën çapkëne, valët përdridhen
nëpër kaskadat e kohës e grisin heshtjen
e ujëvarat e shpirtit, ndër vizione hidhen
në psherëtima ndijuese, shpërfaqin veten.