>
LETERSISHQIP
Xheladin Çitaku

Harbuar Iluzionet

Shtyjnë shfrenueshëm në margjina të jetës
ca togje grabitëse, të dresuara për gjueti
rreken mjerueshëm t`i bëjnë vendin vetes
me zvarritje qyqare përgjunjen në skllavëri.

Marrosur kopeisht në shpirtëra të robërimit
edhe portën të mbyllur me dëngje ferrash
frutin degdisur nëpër tregjet e mashtrimit
te xhambasë t`pandjenja në prita barrierash.

Në derë të përlyer, verbërisht çonë lakmia
dhe gëlltitë talljen me sarkazma përplotë
qorrolepsur, tërësisht, përqeshur nga lubia
që me kthetra të mprehta s`të ç`rrënjosi dot.

Vizionet dorëzuar fytyrave të maskuara
vullnetin ndryrë në zëndane të injorimit,
shpresat varur në iluzione të harbuara
sorollaten në ëndërrat e kota të mjerimit.

Mendjen pas kokës, nëpër rrugë të harlisur
shpura e dehur, shkarë në lakmi të sëmurë,
teksa dinjitetin nxirë, në plagosje të mahisur
dhe virtytin e këngëzuar, përdhosur qëkur...
21.04.2020