>
LETERSISHQIP
Xheladin Çitaku

Rrugëve Bredharak

Në rrugët e ëndrrimit nuk rreshtë,
a thua takoj diku përdëllimin,
në krahët e shpresës
e kërkoj kaherë
me kokën lartë
drejtë universit.

Në rrugët e shpresës shtegëtoj,
t`i zë pluskimet në ngjyrat e ylberit
dhe flladin në agime mëngjesi
kur errësirën braktisin
e natyrën mbulojnë
me qilima ngjyrash shkëlqyese.

Rrugët e fatit ngatërruar keqas,
në kërkim të portës së dritës,
që hijëzuar është
nën hije shekujsh
e muranash antike,
ofshamash në arena
amfiteatrosh të gurtë.

Në rrugët e ambicies
ndez reflektorët zhbirues,
si rreze iks a ultravjollcë,
që fiksimi ta gjejë portretin e trillit,
në ekspozitat e egos,
ku hedhin vështrimin
sytë e përndezur
si flakë vullkanesh.

E rrugës së kthimit kërkoj vetveten,
nëpër shtigjet e bredhjes,
në stacione dekadash,
ku prisja nisjet
për në metropole dëshirash,
që kahjen s`ua dija,
as kisha adresë
as hartë udhërrëfimi,
veç një panoramë fatamorganë.
01.05.2020