>
LETERSISHQIP
Xheladin Çitaku

Nanuritje Dehëse

Rrezja vezulluese në portret përthyhet
gërsheta ngjyrash i stolisë me shkëlqim
metaforë zymtësie në zëndane ndryhet
tek ndrinë buzëqeshja, si qielli në agim.

Fanfaret e shpirtit himnet i këndojnë
dhe përkëdhelin nazet e erës së lazdruar
mbi krahë fluturash, në lule nektarojnë
hiret lozonjare, linjash magjike vijëzuar.

Hapat hedhur lehtësisht në lëndina vegimi
tek vello e ëndërrimit në puhizë nanuriset
shton etje përvëluese me shigjetë adhurimi
kur në xixat e prushërimit ambicia harliset.

Ëndja rri zgjuar dhe në afshe përpëlitet
e zgjaton ndriçimin si dritë nëpër fanare
e joshja e shpresës me delikatesë vërtitet
në taka brilante, ecën si një manare.

Shikimi lëbyret në fjongon e argjendë
ngulitet fiksuar në shtresa të dëshirave
se nektar të shijshëm roitë përnjëmendë
nga hojet e delirit, që flatron hapësirave.
02.05.2020