>
LETERSISHQIP
Xheladin Çitaku

Peisazheve Të Ndërdijes

Shikimi i thellë,
plot melankoli
mendjen shpërqëndron
tej imazheve të veguara,
që vezullojnë në telajën
e syve të ndërdijes,
si pikturat mahnitëse
në peisazh dëfrimi.

Shpresa ngazëllehet
në shkëlqim yllësie
të yjeve që sfidojnë
mugëtirën e jetës;
në rrezen që përthyhet
në fytyrë mrekullie,
tek rrezëllon botën.

Eh, kohë e azdisur,
që mbërthen vargonjësh
vegimeve të vonuara
s`u lejon flatrimin
në puhiza freskie,
as n`petale të vesuara.