>
LETERSISHQIP
Xheladin Çitaku

Shpirtëra Muzgjesh

Shpirtëra të robëruar robërisht meditojnë
se, që para lindjes, robërimit i përkasin
si racë zvarranikësh në shekuj hapërojnë
të lidhur me kërthizë, sytë që s`u pëlcasin.

Shpirtëra të skllavëruar ecin skllavërisht
sepse gjak i skllavit u qarkon në damarë
n`adhurim padronësh zvarriten përulësisht
nënë, baba përbuzjen, kamxhikun kumbar.

Shpirtëra të zijosur, të lyer me katran
falin dinjitetin për një kockë të kërmës
lëshuar injorancën herë trok, herë revan
për ta ngopur gushën në bataqet e sërës.

Shpirtëra pa ndjesi si meitë të zverdhur
vërdallë nëpër mjegull pa rrugë e pa cak
kalërojnë të dehur, rrjepacakë të ç`veshur
pa nder sorollaten, sikur bastardë erëcak.

Shpirtëra të harbuar, shaluar harbimin
Ngarendin, rrëshqanthi, në llume kënete
në hapa të verbër e majmin skllavërimin
fytyrat e baltosura s`i lajnë as në dete…
28.04.2020