>
LETERSISHQIP
Xheladin Çitaku

Në Mbërthecka Shekujsh

Kohët i përshkova revan, në mijëra vjetë
shikimin e mprehur ngulita në çdo skutë
rrezoja mbretërisht, në njërin e tjetrin det
gjersa pabesia gremisi mbretëreshën Teutë.

Sot, zëra të çjerrë në megafonë të grisur
bërtasin e ulërasin se më dhuruan lirinë
e kur zezonash të mëdha qesh katandisur
ndër zyra ogurzeza më vizatonin kufinë.

Shigjetash të helmta, shtatin plagë mahisur
e diellin ma mbërthyen kthetrat e perëndimit
rënkova nën prangat e perandorëve të krisur
shekuj tragjik, ndryrë në zëndane të ngujimit.

Në rrugët e përgjakura altarët u përmbysën
dritën mbyllur në kuvli, nga orgjitë e lindjes
nëpër shekuj zbraztësie shumë jetë u ngrysën
u gozhduan shpirtërat në çengela të dhimbjes.

Në mbllaqitjet e pangopura të lubisë vrastare
zhubrosëm tëbanin me rrudhosje t`huajësimi
e idealet i rroposëm nëpër ambiciet barbare
kot mbollëm tokën shtatore e obelisqe lartësimi.

Kush lirinë ma fali lëmoshë në këtë shekull të ri?
veç trungut tim të plagosur e degësh të krasitur
emisarë të krekosjes që m`përbuzni me neveri
me lumenjë gjakosjesh rrënjët i kam vaditur.
07.05.2020